Jedinstvo botohej në gjuhën serbe që nga viti 1945 si organ i Frontin Nacionalçlirimtar, ndërsa më vonë nga Lidhja Socialiste e Popullit Punëtor të Kosovës. Në kohën e socializmit jugosllav kjo gazetë me përmbajtjen e vet mundohej të raportonte dhe të kontribuonte ndërtimit të bashkësisë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Në këtë frymë ishte shkruar artikulli për Sabit Gushin dhe Zarko Mlladenoviqin (Zarko Mladenović), të cilët më punën e përbashkët dhe ndihmën kishin avancuar ekonomitë e tyre familjare në Zhegër, në Anamoravë. Përmbajtjen e artikullit, i cili është publikuar në vitin 1977, e transmetojmë në tërësi:
Banorët e fshatit Zhegër, në Komunën e Gjilanit, me rreth 400 shtëpi, gjithnjë kanë jetuar dhe punuar në harmoni. Puna e përbashkët është traditë këtu. Me këtë rast veçojmë Sabit Gushin dhe Zarko Mlladenoviqin, të cilët, siç na duket neve, meritojnë vëmendje të veçantë.
Vëllezërit zhegranas, siç i quajnë, i takuam në punë të përbashkët. Ishin duke bartur sanë. E ndalën qerren me kije dhe biseda nisi spontanisht.
– Të gjitha punët bujqësore në tokat tona i kryejmë bashkë, me marrëveshje. Kështu është edhe më lehtë edhe më mirë, filloi Sabiti. –Kositja, lëvrimi, mihja, korrja, ruajtja e deleve, kultivimi i duhanit –të gjithat ibëjmë bashkë, pimë dhe hamë bashkë. Jemi bërë si një familje.
–Vëllazërimin dhe miqësinë e ndërsjellë e kemi trashëguar nga prindërit tanë. Punojmë bashkë. Kemi besim dhe përfitime të dyanshme, pranon Zarkoja.
–Kemi dëgjuar për Ligjin për Punën e Bashkuar dhe bashkimin e bujqve, vazhdon Zarkoja, duke iu përgjigjur pyetjeve tona. – Neve, që një kohë të gjatë bëjmë kështu. Ligji ka konfirmuar që jemi në rrugën e duhur.
Ja si duket kjo në shembullin e tyre.
Sabiti ka 26, ndërsa Zarkoja 35 dele. Numri i deleve nuk i pengon të ndajnë punët. Për kopenë prej 61 delesh Sabiti kujdeset nga pesë, e Zarkoja nga shtatë ditë. E kështu me radhë. Edhe në punë të tjera mbështesin njëri tjetrin, e në punë të caktuara angazhojnë të tërë familjen. Kështu, puna kryhet shumë shpejt. Fillimisht merren vesh çka ka përparësi. Në vjeljen e duhanit të Sabitit shkojnë të dy familjet, ndërsa në kositje të tërshërës së Zarkosë, ata dy. Njëzet arë të duhanit të Zarkosë gati janë vjelë, natyrisht me punë të përbashkët.
Nuk e matin punën, ndërsa nëse ka më shumë punë nga njëra anë, kjo është minimale pasi pronat i kanë gati të njëjta.
Përndryshe, Sabiti për dhjetë vjet ka qenë në punë të përkohshme në Austri. Ky tjetri, si një kryefamiljar i vërtetë është kujdesur për pronën e Sabiti derisa ky ishte në diasporë.
Burimi: R. Stoilkoviq (R. Stoiljković), “Puna vëllazëroi Sabitin dhe Zarkon”, Jedinstvo nr. 124, Prishtine, 29.8.1977, fq. 9.
Përktheu Bruno Neziraj