Bashkëbiseduesit e Sanja Zllatanoviq [Sanja Zlatanović] kanë treguar një njohuri shumë të mirë të praktikës zakonore shqiptare, si dhe të ndryshimeve që u paraqitën brenda marrëdhënieve familjare dhe atyre më të gjëra shoqërore pas vitit 1999. Zllatanoviq konsideron se njohuria e mirë e gjendjes në komunitetin lokal shqiptar tregon për kontaktet e ruajtura. Nganjëherë ishte më lehtë që problemet familjare dhe të tjera t’i rrëfeheshin pjesëtarëve të grupit tjetër ose në komunikim arrihej një lehtësi e cila nuk mund të bëhej me grupin e vet. Për shembull, një numër i madh i bashkëbiseduesve ka rrëfyer që shqiptarët e rinj me kënaqësi e hanin mishin e thiut në shtëpitë e serbëve, në veçanti zhangrritë, por duke u fshehur nga të vetët. Zllatanoviq vëren se disa bashkëbisedues më të moshuar formësojnë diskursin e shprehur nostalgjik të llojit refleksiv. Ata me emocione të fuqishme, kënaqësi dhe përjetësim flisnin për vizitat e ndërsjella dhe bisedat, besimin e thellë, kujdesin që shkëmbenin, fjalët ngushëlluese që shqiptarët dinin t’i shprehnin në situata të vështira, bakllavanë e përgatitur nga koret e shtëpisë, të cilat për Bajram shqiptaret ua dërgonin anëtarëve të familjeve të tyre. Bashkëshortët nga Zhegra disa herë kanë përmendur sa janë gajretlinj shqiptarët(dinë tu japin gajret, të ngushëllojnë dhe inkurajojnë) [sh.p. fjala gajret ishte përdorur në tekstin origjinal dhe është përkthyer dhe përshkruar për lexuesit]. Një bashkëbiseduese me arsim të lartë në moshë të mesme kishte rrëfyer se si koleget shqiptareishin munduar t’i ndihmonin gjatë periudhës kur kishte probleme shëndetësore dhe familjare, ndërsa drejtori, shqiptar, po ashtu kishte shprehur dhembshuri dhe i kishte ndihmuar të mbante vendin e punës. Kthimi nga bota e kujtimeve në realitetin e hidhur ishte i vështirë. Disa bashkëbisedues në fakt gati nuk mund të kuptonin çka dhe si kishte ndodhur. (bashkëbiseduesit SG1 – një burrë i lindur në vitin 1928 në Zhegër dhe gruaja e tij SG2, e lindur në vitin 1934 në Sadovinë të Çerkezëve. SG1 dhe SG2 janë çift bashkëshortor, të zhvendosur brenda vendit në Kuscë të Epërme afër Gjilanit; biseda është zhvilluar në vitin 2006)

 

SG1 : Ti kur shkon te ata, ke për të folur gjithçka lidhur me shtëpinë. Si të jetohet. Si të respektohet.

SG2 : Fillimisht ka për të të pyetur si i ke fëmijët, familjen. Për krejt, për krejt fëmijët, për secilin ka për të të pyetur. […] Për këtë, për këtë respektim, nuk mund ta them, ata janë shumë më të përgatitur se ne. Pasha Zotin!

SG1 : Ata janë gajretlinj. […]

SG2 : Pastaj kalon, në shkojmë për Bajramin e tyre, shkojmë, ata na presin. Ata vijnë për Pashkë. Dhe kështu ishte! Tash, kur ishte bombardimi. Unë nuk mundesha, ndërsa ai ishte gjatë bombardimeve. Mu ajo pjata që sollën me bakllavë, dhe ajo mbeti tek ne. […]

SG2 : Shkojmë në ara. Kështu i bëjnë shtëpitë skaj rrugës. Shkojmë në arë, lëvrojmë. Unë e S, e di. Isha tek S, me S. pastaj shkojmë te ne. Nusja e një tezes sime. Dhe kur ky këtu, Ahmeti, ishte duke e ndërtuar shtëpinë, gruaja e tij kishte bërë çaj. “O M! Eja S! Hajde ta pini nga një çaj, jeni lodhur.” Ae di sa shumë të vjen fuqiakur e pi një çaj.

SG1: Është i rusit.

SG2: Si me pi një raki.

SG1: Çaj rusi. IS: Po, po, çaj i fortë.

SG2: “Hajt, ju”, thotë “jeni të lodhur”, thotë “keni gropuar. Hajdeni pak ta pini nga një çaj”. Dhe shkojmë edhe e pimë nga një çaj, flasim, ajo din serbisht. Dhe bukur, rrimë pak. Asnjëherë nuk kemi pas asgjë të keqe. Por çka u bë? Çfarë ndodhi? Si ky tmerr? Çudi! […]

SG2 : Të afërt, ishim të afërt. Vetëm çudia! Unë çuditesha kështu për neve, kështu me dal Zhegra jonë, ne që jemi shoqëruar mirë.

Burimi: Sanja Zlatanović, Etnička identifikacija na posleratnom području: srpska zajednica jugoistočnog Kosova, Etnografski institut SANU, Beograd, 2018, fq. 309.

Përktheu Bruno Neziraj

Image courtesy of Facebook

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.