Ky është një fragment i hulumtimit të Sanja Zllatanoviq [Sanja Zlatanović], e cila tregon se shumë serb nga Anamorava e Kosovës, e në veçanti ata nga mjediset e përziera etnike, kishin ndërtuar miqësi të thella me shqiptarët për shumë breza. Kjo në përgjithësi vlente për burrat; gratë mund të mbanin kontakte më formale ndërmjet vete. Një bashkëbiseduese më e moshuar (e lindur në vitin 1942 në Budrigën e Poshtme, me të cilën Sanja Zllatanoviq kishte biseduar në qendrën kolektive në Vërnjaçka Banja në vitin 2003) flet se si burri i saj në shtratin e vdekjes, si refugjat, fliste se do të donte të shihte mikun të tije vjetër, shqiptarin, dhe pastaj nuk do të mërzitej për vdekje.
PË: Uuu, kanë jetuar me burrin tim. Në prag të vdekjes thoshte: “Të shkoja në Zhiti”, thoshte, “vetëm për të parë Berqirin”, dhe thoshte “e pastaj nëse vdes menjëherë, nuk do të mërzitesha”. […] Me doemos, nëse kalonin dy-tri ditë, ai vinte për ta vizituar, këtë. E ky, nëse kalonte pak kohë, pastaj burri im shkonte atje. Kështu, si të ishin vëllezër.
PY: E kur krijuan një lidhje kaq të fortë?
PË: Paj, që nga fëmijëria, kur kanë ruajtur bagëtinë. Derisa ruanin bagëtinë kanë krijuar lidhje shumë të fortë dhe kështu nuk janë ndarë asnjëherë. Edhe kur ishte ndonjë argëtim në fshat, ata dy bëheshin bashkë dhe e përcillnin. Kur ishte ndonjë muzikë, diçka, e din. Kështu ishte në atë kohë. Në Svintal, atje, ishte një panair. Edhe ai e shikonte. Shumë duheshin këta dy.
Në takimin e përsëritur, pas dy vjetësh, kjo bashkëbiseduese gjatë bisedës përsëri i kthehej marrëdhënieve me shqiptarët në fshatin Zhiti dhe lamtumirën me fqinjët gjatë ikjes së tyre, e pastaj të vetën si refugjatë. Në fshatin Zhiti nuk ka më serb:
PË: Shumë kemi jetuar. E di si! […] Fillimisht kur kanë ikur ata, të gjithë ne kemi qarë, të gjithë kemi qarë pas tyre. […] Për këto dhjetë ditë dhe pastaj u kthyen, ndërsa në më vonë, ne kemi ikur në gusht. Ata rreth Veligden[sh.p. Pashkët ortodokse], e ne në gusht. Edhe ata kanë qarë shumë kur jemi nis ne.
Burimi: Sanja Zlatanović, Etnička identifikacija na posleratnom području: srpska zajednica jugoistočnog Kosova, Etnografski institut SANU, Beograd, 2018, fq. 307-8.
Përktheu Bruno Neziraj