I anketuari – shqiptar nga Kamenica e kujton shumë mirë se si fqinjët e tij serbë e shpëtuan disa herë gjatë luftës së vitit 1999 dhe dolën në mbrojtje të tij. I kujtohet kur një grup i armatosur i serbëve arrestoi gruan e tij dhe atë, por fqinjët ndërhynë menjëherë dhe i liruan me negociata të suksesshme. Ky nuk është shembulli i vetëm kur fqinjët me qëllime të mira u erdhën në ndihmë në kohë krize. Fqinjët serbë i furnizonin me ushqime dhe po ashtu intervenuan tek autoritetet kur u qëllua me automatik dhe u hodh një bombë në shtëpinë e tyre. Falë intervenimit të miqve, ky lloj agresioni u ndal menjëherë. Kur rrethanat e luftës ndryshuan dhe kur pushteti ishte në duart e shqiptarëve, ai pati mundësinë që në mënyrë të ngjashme të ju përgjigjej miqve të tij dhe t’i ndihmonte kur u gjetën në vështirësi. Bisedën e organizuar nga Qendra për studime historike dhe dialog e zhvilloi Besime Maliqi nga OJQ Network of Peace Movement nga Kamenica.

PY: Mirëdita.

PË: Mirëdita.

PY: Emri juaj, ju lutem?

PË: [redaksia e portalit ka vendosur që për momentin të mos shpalos identitetet e bashkëbiseduesve].

PY: Vendi dhe data e lindjes?

PË: 30.09.1973.

PY: Vendbanimi?

PË: Kamenicë.

PY: A keni shokë nga komuniteti etnik serb në Kosovë? Sa të afërt jeni me ta? A kuptoni gjuhën serbe?

PË: Po, kam shumë shokë. Jam shumë i afërt me ta. Gjithashtu, flas, shkruaj dhe kuptoj rrjedhshëm gjuhën serbe.

PY: A shoqëroheni rregullisht, a keni shkuar në vizita familjare tek fqinjët ose kolegët serb dhe a keni bëtë vizita të ndërsjella gjatë festave fetare të krishtera apo myslimane para, gjatë dhe pas luftës?

PË: Po, kam pasur shumë shokë me të cilët jam shoqëruar para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, me të cilët ende mbaj lidhje dhe i kam vizituar edhe gjatë festave ortodokse. P: Mund të them që edhe tash i vizitoj, por më rrallë.

PY: A ka ndryshuar marrëdhënia juaj me fqinjët, pra kolegët tuaj serbë me ngritjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, nga viti 1987 deri në vitin 1999 e deri në ditët e sotme?

PË: Po, ka pasur disa ndryshime në marrëdhënie me individët, por ato ndryshime nuk kanë qenë të mëdha. Kjo për sa i përket marrëdhënieve me disa serbë, e jo me fqinjët serbë gjatë periudhës së përmendur. Mund të them se situata nuk ishte e njëjtë si kur ishte Millosheviqi në pushtet deri në vitin 1999, por mund të thuhet se pas asaj periudhe situata ka ndryshuar, gjegjësisht marrëdhëniet kanë ndryshuar për të mirë.

PY: A keni bashkëpunuar rregullisht dhe keni shkuar në vizita familjare, vizita gjatë festave fetare të krishtera apo myslimane te fqinjët, kolegët serbë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës?

PË: Po, kam bashkëpunuar me fqinjët e mi serbë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Ne gjithmonë shkonim në vizita të ndërsjella familjare, e sidomos shkonim për të vizituar serbët ose pjesëtarët e komunitetit serb për Pashkë. Mund të thuhet se kjo situatë ndryshoi pak pas luftës sepse ndryshoi edhe dinamika e jetës dhe për këtë arsye nuk jam në gjendje që t’i vizitoj rregullisht për Pashkë.

PY: Sa e rëndësishme ka qenë përkatësia etnike, respektivisht fakti i të qenit serb apo mysliman në shoqëri para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës?

PË: Mund të thuhet se përkatësia kishte një rëndësi të madhe, sepse të qenit serb gjatë luftës, para luftës dhe pas luftës nënkuptonte privilegj sepse ata aspironin gjëra të tjera, ndërsa gjatë luftës, veçanërisht rreth viteve 2000-2003, ishin, të mos them viktima, pra, pjesë e terrorit, ose më mirë të mos them terrorit por dëbimeve apo padrejtësive të ndryshme.

PY: A keni dëgjuar për ndonjë rast ku është lidhur martesë ndëretnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës? A ekziston sot ndonjë rast ku të rinjtë serbë dhe shqiptarë shoqërohen edhe takohen?

PË: Para luftës ishin shumë raste. Mund të them lirisht se para luftës ka pasur me dhjetëra raste të lidhjes së martesave mes serbëve dhe shqiptarëve, por nuk më kujtohen raste të tilla gjatë luftës dhe pas luftës. Mirëpo, sa i përket shoqërimit të të rinjve, ka filluar… ka filluar që pas luftës, por është një pengesë. Pra, pengesa kryesore është barriera gjuhësore, e cila është mjaft e dukshme. Megjithatë, për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, ata përdorin gjuhën angleze sepse vetëm brezat e vjetër kuptojnë, gjegjësisht mund të flasin dhe të komunikojnë në gjuhën përkatëse, pra në gjuhët vendase.

PY: A mund të na tregoni për ndonjë rast të mbështetjes, ndihmës apo ndihmës së ndërsjellë që ka ofruar ndonjë pjesëtar i komunitetit serb?

PË: Po! Më kujtohet shumë mirë, gjatë luftës, gjegjësisht menjëherë pas përfundimit të luftës, një grup i armatosur i serbëve dhe romëve më kishin kapur mua dhe gruan time dhe donin të na arrestonin, por njëri nga fqinjët e mi, po ashtu serb menjëherë doli nga shtëpia dhe ndërhyri duke negociuar me atë grup të armatosur për lirimin tim. Pas dhjetë minutash negociata, më liruan mua dhe gruan time. Kishte shumë raste të tjera. Më kujtohet një rast kur një grup romësh plaçkitnin shtëpitë ku vidhnin gjithçka në dhomë apo në shtëpi, kur mora vesh kush ishin ata rom, më vonë shkova tek ata. Kur shkova atje, ata romë më rrethuan dhe pastaj disa serbë më shpëtuan nga një konflikt fizik. Ka edhe raste të tjera, por për momentin nuk më kujtohen.

PY: Cili ishte qëndrimi i autoriteteve serbe, policisë, administratës civile, ushtrisë ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit 1999?

PË: Qëndrimi i autoriteteve serbe në përgjithësi, pra qëndrimi i policisë, administratës civile dhe ushtrisë, në përgjithësi ishte armiqësor. Mirëpo, sa i përket policisë, ata dhe ushtria ishin më armiqësore, ndërsa administrata civile nuk ishte aq armiqësore, por ishte e padrejtë dhe diskriminuese. Policia dhe ushtria ishin të dhunshëm dhe kishte organizim për të dëbuar popullsinë nga një vend në tjetrin pa asnjë arsye ose të paktën kështu dukej nga këndvështrimi i popullatës shqiptare në atë kohë.

PY: A u përpoqën fqinjët tuaj të ju mbrojnë, të ju sigurojnë ushqim apo gjësende të tjera të nevojshme gjatë kohës së luftës?

PË: Po, në të shumtën e rasteve fqinjët na mbronin, veçanërisht nga paramilitarët, na jepnin ushqime dhe gjëra të nevojshme që i blinin në emër të tyre e pastaj na i sillnin neve. Kishte raste kur na ndihmonin ose blinin gjëra në emrin tonë.

PY: A keni përjetuar ndonjë dhunë ose dëmtim të pronës gjatë luftës? Si reaguan fqinjët tuaj?

PË: Po, kemi përjetuar. Disa herë është shtënë në drejtim të shtëpisë sime me automatik dhe janë hedhur granata dore, si dhe më kishin plaçkitur shtëpinë. Mirëpo, fqinjët e mi reaguan me vendosmëri duke e raportuar rastin në organet e asaj kohe, gjegjësisht në polici dhe organet e tjera të përgjithshme administrative dhe rrjedhimisht këto sulme u ndalën plotësisht.

PY: A u përpoqët t’i mbroni ata kur forcat shqiptare morën kontrollin pas tërheqjes së ushtrisë jugosllave në vitin 1999?

PË: Po, në disa raste i kam mbrojtur nga forcat shqiptare sepse forcat e armatosura shqiptare po përpiqeshin t’u merrnin armët ose u kërkonin armë. Nganjëherë ata donin t’i grabisnin dhe t’u merrnin gjërat, por unë ju dola në mbrojtje menjëherë dhe iu tregoja si më kanë ruajtur dhe mbrojtur gjatë luftës dhe prandaj nuk duhet t’i sulmojnë.

PY: Cili është kujtimi juaj për periudhën e socializmit?

PË: Mund të thuhet se ka qenë kohë e mirë dhe e drejtë për të gjithë, ka pasur punë për të gjithë dhe ka ekzistuar barazia sociale. Papunësia ishte e ulët, sistemi shëndetësor ishte i mirë si dhe shumë gjëra të tjera.

PY: A e konsideroni epokën socialiste si pozitive dhe afirmative në kontekst të zhvillimit të Kosovës?

PË: Në përgjithësi, epoka socialiste ka qenë pozitive dhe afirmative në kontekst të zhvillimit të Kosovës, kryesisht që nga viti ’74 e më tutje deri në vitin 1985, sepse në atë periudhë kishte një zhvillim më të shpejtë të Kosovës në aspektin e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe barazisë, ndërsa më parë nuk vihej re edhe aq si çështje e as si pjesë e socializmit.

PY: Ju faleminderit për intervistën.

PË: Ju faleminderit edhe juve.

Image courtesy of aleksandarmiletic | MALI VELIKI LJUDI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.