I anketuari serb nga Berivojca gjithmonë do të kujtojë pogromin e marsit të vitit 2004 dhe si fqinjët e tij shqiptarë qëndruan pranë familjes së tij kur ata rrezikoheshin të sulmoheshin dhe të dëboheshin nga shtëpia e tyre. Falë fqinjëve që u erdhën në ndihmë pa u menduar, ata kanë mbetur edhe sot e kësaj dite në shtëpinë e tyre. Marko nuk harroi si në fëmijëri luante futboll apo basketboll me miqtë e tij shqiptarë në kohën e para luftës. Kujton momentin dramatik kur gruaja e tij ishte duke lindur, ndërsa automjeti i ishte prishur. Në ato momente fqinji i parë e ndihmoi përsëri dhe ia huazoi automjetin pa asnjë fjalë. Marko thotë se periudha e luftës duhet të harrohet dhe duhet shikuar vetëm në drejtim të së ardhmes.
PY: Prezantohuni ju lutem, a jeni i martuar, a keni fëmijë, prej nga jeni?
PË: Jam i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
PY: Si është të jetosh në Kosovë dhe në Berivojcë duke qenë se është vend multietnik?
PË: Për vite jetojmë me shqiptarë në Berivojcë. Asnjëherë nuk kemi pasur asnjë problem, bashkëpunojmë dhe mund të them se bashkëjetesa në Berivojcë dhe Kamenicë është në nivel shumë të lakmueshëm.
PY: Ju apo dikush shumë i afërt me juve, a keni miq shqiptarë?
PË: Natyrisht, që nga koha kur isha kalama kam pasur miq shqiptarë, me disa kam mbetur në lidhje, takohemi edhe sot, disa kanë shkuar jashtë vendit, por herë pas here dëgjohemi përmes rrjeteve sociale, e mbajmë kontaktin.
PY: Thatë se keni fëmijë, a do të ju pengonte nëse ata do të shoqëroheshin me shqiptarët ne moshën e tyre, siç shoqëroheshit ju kur ishit i vogël, dhe tani pasi jeni i rritur, ndërsa edhe prindërit e juaj janë shoqëruar, që të vazhdojë ky shoqërim?
PË: Natyrisht që jo. Si i ri jam shoqëruar me shqiptarë, nuk do t’ia ndaloja kurrë fëmijëve të shoqëroheshin, edhe prindërit e mi janë shoqëruar, kjo kalonte nga brezi në brez. Fëmijët e mi tani janë të vegjël dhe nuk e kuptojnë rëndësinë e bashkëjetesës, por në kohën e adoleshencës kurrë nuk do t’i ndalojë të shoqërohen me shqiptarët.
PY: A keni pasur ndonjëherë ndonjë shqetësim nga shqiptarët, çfarëdo?
PË: Jo, jo, deri tash nuk kam pasur asnjë problem, madje kemi ndihmuar disa herë njëri-tjetrin, pasi në fqinjësi kam shqiptarë.
PY: A keni ndihmuar ndonjëherë në ndonjë mënyrë ndonjë shqiptar dhe a ju ka ndihmuar ndonjë shqiptar juve?
PË: Sigurisht. Kemi ndihmuar njëri-tjetrin, disa herë u kam dhënë fqinjëve shqiptarë makineri bujqësore, të cilat ata pastaj i përdornin për të punuar tokën. Edhe ata më kanë ndihmuar mua, në një rast kur fëmijët e mi ishin të vegjël dhe të sëmurë, një fqinj shqiptar më dha automjetin për të çuar fëmijët në spital.
PY: A ju vizitojnë miqtë tuaj shqiptarë për festat tuaja fetare dhe a i vizitoni ju për festat e tyre, për shembull për Bajram, a ju ftojnë ata për festë?
PË: Ka pasur raste, tani jo në një periudhë të afërt, por para disa vitesh kam pasur një shok nga Kamenica që më vinte rregullisht për disa festa, pra krejt normal, sipas zakoneve tona, siç festojmë ne serbët. Njëjtë si janë sjell të ftuarit e tjerë, të afërmit serb, ashtu silleshin edhe ata, pa asnjë problem, ishin të kënaqur me mikpritjen time, krejt ishte në nivel shumë miqësor. Më duhet të them se edhe unë kam shkuar dy herë te ata për Bajram, janë sjellë krejt normal, më kanë mirëpritur, nuk ka pasur probleme, pra krejt normal. Pak më vonë do të ju shpjegoj zakonet e tyre për Bajram.
PY: Cili ishte qëndrimi i pushtetit serb ndaj shqiptarëve, a mendoni se ata i trajtuan njësoj si serbët?
PË: Epo, unë jam relativisht i ri, kohën e paraluftës e mbaj mend si i ri që nuk ka pasur ndikim, nuk ka ndjekur ngjarjet politike, por sipas tregimeve të prindërve të mi, të gjithë ata që kanë respektuar ligjin e shtetit tonë të Serbisë para luftës, policia serbe i ka trajtuar me korrektësinë më të madhe, nuk ka qenë agresive. Duhet të them se edhe disa nga serbët tanë që kanë shkelur ligjin, shteti i Serbisë edhe ata i ka trajtuar në pajtim me ligjin.
PY: A është e rëndësishme për ju përkatësia etnike për t’u shoqëruar me dikë?
PË: Jo, për mua nuk ka rëndësi. Ka njerëz që e shikojnë këtë dhe nuk e pëlqejnë, por siç thash jam rritur në një familje që më ka rritur që të mos e shikoj përkatësinë fetare si diçka ndryshe. Jam rritur në një familje ku më kanë edukuar që të respektoj çdo njeri të mirë.
PY: A janë shoqëruar prindërit tuaj para dhe gjatë luftës 1998-1999?
PË: Siç e thashë edhe më parë në këto vite, ’98 dhe ’99, kishte pak pauza në shoqërimin tonë dhe të tyre, por prindërit e mi mbanin kontakt gjatë atyre ngjarjeve të paraluftës dhe luftës.
PY: A flisni apo kuptoni, a dini shqip?
PË: Unë, si një njeri i ri, di shumë shqip, nuk mund të hy në bisedë me shqiptarët por e kuptoj atë që thonë, jo aq sa mund t’u përgjigjem gjithmonë, por është e rëndësishme që gjithmonë mund të merremi vesh dhe ruajmë kontaktin.
PY: Në çfarë gjuhe komunikoni zakonisht me shqiptarët?
PË: Epo, në thelb në shumicën e rasteve flasim serbisht, sepse shumica e tyre dinë serbisht, por ka edhe raste kur ndonjë prej shokëve të mi shqiptar sjell një mik që nuk di serbisht, kështu që ndodh që unë ta them ndonjë fjalë në shqip ose shoku im shqiptar i përkthen në atë rast.
PY: Si është të jetoni në Kosovë?
PË: Për momentin nuk është lehtë të jetoni në Kosovë, nuk është si në qytetet e tjera, në vendet e tjera perëndimore. Kosova është multietnike, së paku komuna jonë është në nivel të lartë. Papunësia është e lartë. Të rinjtë kanë probleme me punësim. Njëjtë si unë. Kam punuar në dy kompani private, më pas më pushuan sepse u mbyll kompania. Tani nuk punoj askund dhe ne, njerëzit e ri kemi probleme me punësimin.
PY: A shkoni nëpër kafiteritë shqiptare?
PË: Sigurisht që shkoj edhe familjarisht e herë me miqtë e mi serbë, e ndonjëherë kur merremi vesh edhe me miqtë shqiptarë. Nuk kam asnjë problem, stafi i këtyre restoranteve dhe kafeterive është shumë mikpritës, nuk kam pasur asnjë problem deri më tani.
PY: Nuk keni pasur shqetësime nëpër kafeteritë shqiptare sepse jeni serb?
PË: Jo, jo përkundrazi. Njoh shume prej pronarëve të tyre, disa janë pak më të moshuar se unë, disa më të ri, ulem, e pi ndonjë pije me familjen, shokët. Sigurisht sillem si duhet, nuk tregoj asnjë revoltë ndaj atyre ose përkatësisë etnike të tyre, pra, pse do të duhej të kishte probleme?
PY: Meqenëse thatë që prindërit tuaj janë shoqëruar me shqiptarët dhe pasi thatë se ata vinin te ju … A vinin me fëmijët e tyre, a luanit ju me ata në ato raste?
PË: Po, ata vinin edhe familjarisht me fëmijët e tyre dhe më kujtohet si fëmijë shoqërimi me fëmijët e tyre. E kishim të vështirë të kuptoheshim atëherë, por prindërit tanë dhe të tyre na përkthenin disa nga mosmarrëveshjet tona dhe na thoshin se duhet të luajmë e të mos përlahemi dhe se ata i kemi shokë si të gjithë shokët e tjerë të shkollës, kështu që nuk kishte probleme. Si fëmijë është e rëndësishme që të merreni vesh në disa nga lojërat tuaja. Kishte ngatërresa, por krejt kjo është normale që fëmijët edhe të fjalosën ndonjëherë për shkak të lojërave të tyre.
PY: Si keni luajtur, në çfarë mënyre? A e dinit gjuhën atëherë, a e dinin ata gjuhën serbe?
PË: Nuk e dinin ashtu siç unë nuk di shqip, luanim kryesisht jashtë kur ishte moti i mirë, luanim futboll dhe basketboll, nuk kuptoheshim shumë mirë, por nuk ka rëndësi. Si fëmijë është e rëndësishme që të fitosh në ato lojëra për të qenë më i mirë se shoku.
PY: Nuk i keni shikuar kurrë si shqiptarë, por si njerëz të zakonshëm?
PË: Jo, gjithmonë e kam shikuar si shokun tim të shkollës, nga lagjja, nuk i kam shikuar ndryshe shqiptarët, kemi luajtur, nuk ka pasur asnjë problem etnik me ta.
PY: A keni njohuri për ndonjë lidhje multietnike midis një serbi dhe një shqiptareje apo një serbeje dhe një shqiptari?
PË: Po, në shekullin 21 kjo nuk është aspak e çuditshme, unë në vendin tim kam disa persona që janë martuar me shqiptare nga Shqipëria, kanë fëmijë me gra nga Shqipëria, kanë krijuar familje. Kjo funksionon krejt normalisht, ata kanë zgjedhur këtë jetë multietnike, është e rëndësishme që të ketë dashuri që ata të pajtohen. Fëmijët e tyre zakonisht kanë emra serb dhe shkojnë në shkolla serbe, kështu që ky është një lloj jete multietnike që është në një nivel shumë të lartë.
PY: A dini për ndonjë lidhje, për zbavitje?
PË: Po, ka disa raste që djemtë, vajzat nga vendet serbe argëtohen me shqiptarë, nuk e fshehin. Shkojnë bashkë në kafeteri serbe dhe shqiptare, kanë zgjedh këtë, e shohin si gjënë më normale. Unë e mbështes dhe siç thash, nuk e kam pasur kurrë problem ta shikoj ndryshe. Është jeta e tyre, ata e kanë zgjedhur dhe është krejtësisht normale për mua që ata të argëtohen dhe të krijojnë familjet e tyre.
PY: Meqë thatë se kishit një lloj ndihme nga shqiptarët, a mund të na flisni tash pak më shumë për këtë?
PË: Kishte lloje të ndryshme ndihmash, nga ndihma komshinjve dhe me makineri bujqësore që ua jepja për të punuar tokën e tyre. Po ashtu edhe ata më kanë ndihmuar disa herë në raste të ndryshme, përveç automjetit ka pasur edhe disa lloje të tjera të ndihmës. Kur kisha punë në qytete të pastra me shqiptarë nëpër Kosovë pas luftës, nuk ishte krejt e lehtë të shkohej atje, pra shkoja me ta, ata më çonin për të kryer gjërat me letra, asnjëherë nuk kam pasur problem në qytetet e tyre, ishin të drejtë dhe korrektë. Më paraqitnin si mik të tyre, serb që jeton me ta dhe bashkëpunon me ta.
PY: A e keni vazhduar shoqërimin që prindërit tuaj kishin me miqtë e tyre shqiptarë, a keni vazhduar të shoqëroheni me fëmijët e tyre?
PË: Epo, e dini se si, kam disa miq që deri para pak kohësh vinin të më vizitonin dhe të cilët edhe në ditët e sotme vijnë për kafe, për t’u takuar. Ka pasur raste që kam shkuar për Bajram dhe disa nga festat e tyre.
PY: A mund të na flisni pak më shumë për zakonet e tyre, kur shkonit në vizitë te ata për Bajram dhe festat tjera?
PË: E dini si, do t’ju tregoj shkurt kur shkova me gruan time për vizitë për festën e tyre, Bajramin. Ashtu siç ka te ne festë të shtëpisë edhe te ata ka festë. Kanë zakonet e tyre, janë shumë mikpritës, njëjtë si ne kur përgatitemi për festë, ashtu edhe ata për Bajram. Te ata është pak më ndryshe, pra, ata konsiderojnë se çdo gjë që është shtruar në tryezë, duhet provuar nga gjithçka. Kanë zakonin e tyre të ulen në tepih këmbëkryq, të paktën kështu ishte te shoku im te i cili pata shkuar. Ishin shumë mikpritës, na kanë respektuar dhe gjithçka kaloi në atmosferën më normale.
PY: Meqenëse përmendët llojin e ndihmës kur fqinji juaj shqiptar ju dha automjetin për të transportuar gruan tuaj që po lindte në spital, a mund të na thoni diçka më shumë për këtë, duke qenë se ky është një gjest shumë i bukur nga shqiptarët.
PË: Është një gjë me të vërtetë bujare, me kishte mahnitur. Ishte nata vonë, ora një pas mesnate, automjeti më ishte prishur, nuk mund të shkoja në spital me të. Telefonova fqinjin e parë shqiptar i cili pa asnjë fjalë më dha çelësin e automjetit. As sot nuk mund ta harroj këtë sepse ishte një situatë e tillë që më duhej një automjet sa më shpejtë. Kam ndihmuar edhe unë, por me atë gjest tregoi se në vendin tonë me të vërtet ka bashkëjetesë mes serbëve dhe shqiptarëve.
PY: A keni qenë ndonjëherë në një dasmë shqiptare?
PË: Mbaj mend si fëmijë kur patën shkuar prindërit, respektivisht babai, shkonim te shoku i tij familjarisht, atë ngjarje e mbaj mend si fëmijë. Ishim në atë restorant shqiptar me të ftuarit e tjerë, na respektonin. Nuk kishte probleme në kuptimin që dikush të na provokonte se ishim serb sepse e dini si është kur dikush pi, i ndryshon sjellja, por sinqerisht nuk mund të them. Mbaj mend që si fëmijë kam luajtur me fëmijët e tyre dhe nuk ka pasur asnjë problem.
PY: Si i kujtoni ngjarjet e marsit të vitit 2004? Cili ishte qëndrimi i fqinjëve shqiptarë ndaj dhunës që ishte drejtuar kundër komunitetit serb?
PË: Në atë periudhë isha në moshë të re, isha djalë i ri, mbaj mend që ishte e tmerrshme, nuk mund ta harroj sa jam gjallë. Por po ashtu duhet të përmend se fqinjët tanë shqiptarë na erdhën në ndihmë në vitin 2004. Lirisht mund të them se disa prej tyre na mbrojtën nga bashkëkombësit e tyre shqiptarë që po përgatiteshin të na sulmonin dhe në kuptimin e plotë të fjalës të na dëbonin nga vatrat tona. Në atë kohë ata na dolën në mbështetje dhe u thoshin se ishim njerëz të mirë dhe se nuk u kishim bërë kurrë problem shqiptarëve. Ju thoshin se jemi të ndershëm dhe të drejtë dhe se nuk duhet të na shikonin mbi baza nacionale, por si njerëz që jetojnë aty dhe që kanë jetuar bashkë përpara dhe që kanë ndihmuar njëri-tjetrin në mënyrën më normale.
PY: Në fund të bisedës sonë, a mund të jepni një mesazh si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët, gjegjësisht për të gjithë njerëzit në Kosovë?
PË: Mund t’u them të gjithë njerëzve të kombësisë serbe dhe shqiptare se Kosova duhet të jetë shembull i bashkëjetesës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe të gjitha kombësive të tjera që jetojnë në Kosovë. Dua të them se të gjithë duhet të jetojmë së bashku dhe të bashkëpunojmë, të lëmë luftën prapa, periudhën e paraluftës dhe të pasluftës. Tash është viti 2021, duhet të shikojmë nga e ardhmja, të jetojmë dhe të bashkëpunojmë si në plane private ashtu edhe në biznes. Mund të them se duhet të shikojmë nga e ardhmja e jonë dhe të fëmijëve tanë dhe që nesër edhe ata të jetojnë bashkë dhe të bashkëpunojnë.