Bashkëbiseduesja – një serbe (1982), mësuese nga Kamenica, në bisedë më shumti iu kthehej kujtimeve të fëmijërisë që e ka kaluar në shoqërinë e miqve shqiptarë. Thotë se kurrë nuk i ka ndarë njerëzit sipas përkatësisë etnike. Thekson se pas luftës problemi në Kosovë nuk është në bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve, por siç thotë ajo, në vetë jetën, gjegjësisht ekzistencën e njerëzve që jetojnë atje. Fëmijët e saj i këshillon të mos qëndrojnë, më së shumti për arsye ekzistenciale dhe nga pamundësia për të gjetur punë, e jo sepse këta dy popuj kanë marrëdhënie të këqija në Kamenicë. Aktualisht në Kamenicë jeton me bashkëshortin, i cili është nga Leskoci, dhe të cilin shqiptarët lokal e kanë pranuar shumë mirë.

PY: Prezantohuni pak më saktë, ku jetoni, a jeni e martuar, a keni fëmijë?
PË: Jetoj në Kamenicë, ku kam lindur para 40 vjetësh. Jam e martuar dhe kam dy djem.
PY: Si është të jetoni në Kamenicë, ku shumica e popullsisë janë shqiptarë?
PË: E bukur është të jetosh, nuk është siç ka qenë para luftës, por nuk është as aq e rëndë.
PY: Për sa i përket bashkëpunimit, a bashkëpunoni në punë me ta, a ndihmoni njëri-tjetrin?
PË: Duke qenë se jam e angazhuar në një punë, në arsim, me profesion jam mësuese, bashkëpunojmë në seminare të ndryshme. Por, ajo që bëmë ne para 10 vjetësh, ajo që u bë në shkollat tona, ata janë pak me vonesë. Është shumë mirë që kemi më shumë përvojë në punën me mësimdhënie gjithëpërfshirëse, të jem e saktë, dhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimi janë shumë të mirë.
PY: Në cilën gjuhë komunikoni me ta?
PË: Fatkeqësisht, në serbisht, por e mësoj gjuhën e tyre sepse mendoj se njeriu vlen aq gjuhë sa njeh dhe do të mundohem sepse deri më tani nuk jam munduar të përmirësoj gjuhën e tyre që të jemi të barabartë në biseda.
PY: A keni pasur ndonjë problem me shqiptarët?
PË: Epo, kryesisht jo. Por kanë ndodhur gjëra të ndryshme, konkretisht, unë nuk kam pasur problem me askënd.
PY: A planifikoni të qëndroni përgjithmonë në Kosovë?
PË: Natyrisht qe po.
PY: Keni frikë për sigurinë e fëmijëve tuaj, duke qenë se keni fëmijë?
PË: Aspak, unë i ndaj njerëzit në të mirë dhe të këqij dhe jo në shqiptarë, boshnjakë, serbë. Kështu më kanë edukuar prindërit dhe prindërit e tyre ata.
PY: Si ju duket kjo miqësi, a vizitoheni për festa dhe ahengje?
PË: Sinqerisht, më parë shkonim në vizita, shoqëroheshim shumë më shumë para luftës, por kur ndërhyri politika në marrëdhëniet ndërpersonale kjo me të vërtetë pati efekt të tmerrshëm dhe ndikoi në marrëdhëniet tona. Megjithatë, besoj se asgjë nuk mund të ndikojë aq shumë në marrëdhëniet tona sa që të rrënohen krejtësisht sepse kemi jetuar këtu me shekuj me ata, siç kemi jetuar atëherë, kështu do të jetojmë përgjithmonë. Të gjithë ata njerëz që mendojnë dhe arsyetojnë si unë nuk do të kenë probleme asnjëherë. Bashkëjetesa, siç është në Kamenicë konkretisht, unë mendoj se askund nuk është kaq e mirë, kjo është një shembull i duhur se si serbët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë dhe të jetojnë me njëri-tjetrin.
PY: Burri juaj ka ardhur të jetojë këtu me ju, si e pranuan shqiptarët atë?
PË: Po, ka ardhur këtu, nuk mund të gjente punë në Serbi dhe pastaj erdhëm të dy këtu. Interesant, ai erdhi këtu një vit para meje. Ai u prit jashtëzakonisht mirë nga shqiptarët, ndoshta, për fat të keq, edhe më mirë se sa serbët.
PY: A kishte ndonjë problem me shqiptarët?
PË: Jo, asnjëherë, madje iu ka ndihmuar, meqë punonte nëpër fshatrat përreth, i ndihmonte më të moshuarve të tyre në transport, i transportonte. Nuk e dinte asnjë fjalë pasi nuk është nga këtu, është nga Serbia, për dallim nga unë, por ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer. Nuk e di si kanë komunikuar, por më ë rëndësishme është që ai i ka ndihmuar ata dhe ata e kanë ndihmuar.
PY: A mendoni se fëmijët tuaj janë të sigurt këtu, a planifikoni të rrinë këtu?
PË: E dini si, fëmijët janë deri diku të sigurt këtu, por nëse gjithnjë ka njerëz që nuk mendojnë njëjtë, si unë, ekstremistë në dy anë, gjegjësisht në të gjitha anët, për shkak të këtyre njerëzve unë megjithatë kam frikë për të ardhmen e fëmijëve të mi. Sinqerisht, shpresoj se do të qëndrojnë, unë nuk mund të ndikoj në të ardhmen e tyre, por sinqerisht shpresoj se do gjithmonë do të ndjejnë kënaqësi të vijnë këtu sepse ky është atdheu im, e si do të ja bëjnë ata, gjithçka varet nga situata që do të jetë sepse situata aktuale nuk është në favorin tonë.
PY: A shoqërohen fëmijët tuaj me fëmijët shqiptarë?
PË: Shoqërohen, kemi një park ku djemtë e kombësisë serbe, rome dhe shqiptare luajnë futboll së bashku dhe aspak nuk ka probleme. Ndonjëherë paraqitet konflikt, por edhe po të ishin të gjithë serbë, sigurisht që do të grindeshin, kështu që nuk ka hiç problem.
PY: E, a shoqëroheni me prindërit e atyre fëmijëve?
PË: Jo, me prindërit e atyre fëmijëve, jo, sepse e gjithë popullsia ndryshoi pas luftës, kanë ngelur disa familje te vjetra me te cilat jam rritur dhe te cilat i vlerësoj dhe respektoj shume, por duke qenë se kam plot 40 vite jete pas vetes, kam shokë dhe shoqe, madje edhe shoku më i mirë i jemi është nga martesa e përzier, nënën e ka serbe dhe babanë shqiptar dhe ai edhe sot është miku im më i mirë dhe unë jam jashtëzakonisht krenare për këtë fakt. Kjo flet shumë për mua dhe për të. Në kuptim të plotë flet edhe se bashkëjetesa është e mundur, sigurisht që është e mundur dhe do të jetë e mundur, por të gjithë duhet ta harrojmë atë që ka ndodhur, jo vetëm serbët.
PY: Meqenëse jeni rritur këtu, a jeni shoqëruar me shqiptarët?
PË: Po, edhe tani shoqërohem, por lufta bëri të vetën, kështu që shumë prej tyre u larguan, ndërsa edhe shumë nga njerëzit tanë u larguan nga këtu, dhe pastaj struktura e popullsisë thjesht ndërroi pas luftës.
PY: Më parë keni dalë për të pirë, a dilni sot për një pije, a shoqëroheni?
PË: Shkojmë edhe në kafeteri shqiptare edhe në serbe, njerëz që kanë diapazon të gjerë, edhe shqiptarët dhe serbët nuk shikojnë fare njëri-tjetrin si shqiptarë dhe serbë, nuk bëjmë ndarje në këtë mënyrë. Njerëzit ju pëlqejnë si miq ose nuk ju pëlqejnë, pavarësisht nëse janë serbë, shqiptarë apo romë.
PY: Kur shkoni në një kafeteri shqiptare, a ndiheni të sigurt, mos keni frikë nga diçka, ose të flisni serbisht?
PË: Jo, pse të frikohem. Këtu me pëlqen t’i respektoj. Nëse me shërbejnë në serbisht është nder për mua të përgjigjem në shqip, madje edhe nëse është shaka, ata me pyesin serbisht, unë u përgjigjem shqip. Ky është një plus i madh për ata dhe për mua.
PY: Po të kishit mundësi të vendosnit përsëri, vendimi i juaj a do të ishte i njëjtë, që të qëndroni në Kosovë?
PË: Vendimi im do të ishte absolutisht i njëjtë, edhe të jetoj njëqind herë jetën time nga fillimi, por nuk do të doja që fëmijët e mi të jetonin këtu. Sepse jeta këtu, nuk po flas fare për bashkëjetesë, por për jetën e serbëve dhe shqiptarëve dhe romëve dhe të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë në përgjithësi, pas luftës është shumë më ndryshe. Ka ndikuar në bashkëjetesën, marrëdhëniet ndërpersonale, ka ndikuar në mundësinë që njerëzit të gjejnë punë, të gjithë jemi në probleme të mëdha edhe ne serbët edhe shqiptarët. Nga të gjitha degët e ekonomisë me të cilat mund të merremi, tek serbët lulëzon vetëm shëndetësia dhe arsimi, kurse tek shqiptarët vetëm tregtia dhe akomodimi. Mund të paramendoni sa e vështirë është për një të ri të gjejë punë këtu.
PY: Si jetonin shqiptarët në Kosovë gjatë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s?
PË: Njëjtë si serbët, njëjtë, krejt njëjtë, ata ishin të frikësuar, të uritur, të frikësuar, ata prej nesh, ne prej tyre dhe të gjithë së bashku nga [e paqartë].
PY: A keni ndihmuar njëri-tjetrin në atë kohë?
PË: Në atë kohë jo edhe aq, sepse atëherë ne i fajësonim ata, ata na fajësonin neve për situatën nga e cila përfitoi dikush tjetër dhe bëri që nga miq dhe fqinjë të bëhemi armiq të njëri-tjetrit. Kjo nuk është e mirë për askënd, vetëm për të keqën tonë dhe të tyre.
PY: Në esencë, si është jeta në Kamenicë?
PË: Në Kamenicë është shkëlqyeshëm, është vendi më i bukur në botë sepse më duket sikur po frymoj me kapacitet të plotë të mushkërive dhe më besoni kam jetuar në shumë vende. Kam studiuar në Nish, kam jetuar një kohë në Vrajë, jam martuar në Leskoc. Të gjitha këto vende as që mund t’i afrohen Kamenicës, pa marrë parasysh mundësitë dhe çfarë qytete janë, sidomos Nishi, gjithmonë do të kthehesha dhe do të kthehem në vendlindjen time, në Kamenicë, kushdo që jeton në të.
PY: A keni shkuar nëpër vizita tek shqiptarët dhe a kanë ardhur ata te ju për festa?
PË: Po, kemi shkuar në vizita edhe më parë dhe kam një eksperiencë shumë të bukur në lidhje me dasmat e tyre, por edhe me rritjen çdo ditë. Që kur isha fëmijë më pëlqente të shkoja në vizitë me gjyshërit e mi sepse ata shoqëroheshin me shqiptarë dhe një herë patën shkuar te një fqinj, djali i të cilit po martohej. Kanë muzikë shumë të bukur dhe zakone shumë interesante për sa i përket vetë dasmës. Nuk është si tek ne dhe është shumë bukur, pasi më vonë jam marrë me valle, është bukur të krahasojmë njëri-tjetrin dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Duke respektuar traditën dhe besimin e të tjerëve mund të respektojmë edhe veten tonë. Kjo është diçka e këndshme dhe duke pasur parasysh se shoqëroheshim shumë dhe ishim të pandashëm, në lagjen time kishte serb sa kishte shqiptarë, gjysmë-gjysmë. Ata vinin tek ne, gjyshi i binte harmonikës dhe si mësues dinte edhe shqipen, luante dhe këndonte edhe shqip, edhe në gjuhën rome edhe në serbisht. Është fatkeqësi që nuk ia dola dhe nuk kisha interesim të mësoja gjuhën atëherë. Shumë shqiptarë e mësuan serbishten më shpejt dhe më shumë se ne shqipen. Megjithatë, tani koha ka ndryshuar duke pas parasysh se nuk e kuptoja sa e rëndësishme është të mësosh një gjuhë, çfarëdo gjuhe të jetë ajo, do të përpiqem ta mësoj gjuhën në të ardhmen për ta bërë edhe më të lehtë komunikimin me fqinjët.
PY: Cili ishte qëndrimi i autoriteteve, policisë, ushtrisë serbe ndaj popullatës shqiptare?
PË: Njëjtë si ndaj asaj serbe, krejtësisht identik. Ata që e meritonin, dënoheshin sipas veprës. Asnjëherë nuk jemi ndarë në serbë dhe shqiptarë, bile, ndoshta pushteti i jonë ishte më shumë në favor të shqiptarëve. Më kujtohet kur shkonim në shkollë, ato janë kujtimet e mia të fëmijërisë dhe shqiptarët kishin një shkollë më të madhe dhe më të bukur sepse prindërit e tyre kishin më shumë fëmijë. Ne ishim më së shumti tre, katër, ndërsa ata me nga shtatë a tetë në familje. Pastaj atyre iu dha në shfrytëzim një objekt më i madh dhe kjo tregon shumë si na trajtonte të gjithë neve pushteti në Kosovë, qoftë serbët apo shqiptarët. Librezat shëndetësore, për shembull, fillimisht ishin në gjuhën shqipe dhe vetëm më pas në serbisht. Mendoj se kjo është një pyetje shumë më e mirë për shqiptarët. Jam e sigurt se edhe ata do të përgjigjeshin në të njëjtën mënyrë.
PY: Cilat janë kujtimet tuaja nga koha e socializmit në Kosovë?
PË: Tejet të bukura, madje edhe në kohën e komunizmit, pasi kam jetuar edhe në komunizëm. Kam pasur rastin që unë dhe fqinja ime, një detaj shumë interesant, e kujtoj me shumë mall, ishte i vetmi recitim që e kam ditur në shqip me më pak se shtatë vjet. E kemi recituar për ditën e rinisë, ajo ka recituar 1 majin në serbisht dhe unë në shqip. E kemi mbajtur stafetën e rinisë për ditëlindjen e Titos. Është kujtim i kohës së komunizmit, kur me të vërtetë ishim të gjithë të barabartë. Ishte klasa punëtore, po, vërtetë kishim më pak se tash, por ekzistonte vëllazërim-bashkimi, sidomos në Kamenicë, ndërsa sot për fat të keq nuk është kështu. Këshilla ime për ju është që këtë pyetje të ja parashtroni popullatës së moshuar shqiptare ose të paktën dikujt që është 40 vjeç. Besoj se do të merrni të njëjtat përgjigje edhe prej tyre. Të gjithëve vajtojnë atë kohë kur të gjithë ishim të barabartë.
PY: A mendoni se periudha socialiste është pozitive apo negative për zhvillimin e vendit tuaj dhe të Kosovës në tërësi?
PË: Jashtëzakonisht pozitive sepse janë dërguar shumë para nga Serbia në Kosovë, shumë.
PY: A ka pasur raste kur serbët vendas u kanë ofruar ndihmë fqinjëve shqiptarë?
PË: Ka pasur raste natyrisht, edhe serbëve edhe shqiptarëve, dhe anasjelltas, sidomos kur punoheshin shtëpitë, kur janë ndërtuar shtëpitë apo kur është bërë turshia më parë, të gjithat i kemi bërë bashkë. Ishte një përvojë e bukur, ishte një fëmijëri e bukur dikur në Kamenicë, me të vërtetë e kujtoj atë periudhë me shumë mall.
PY: Cili ishte qëndrimi juaj ndaj shqiptarëve në vitet 1998-1999?
PË: Jo shumë i mirë, sepse atëherë pati një përshkallëzim të konfliktit dhe kishim frikë për ekzistencë si në ashtu edhe ata. Ne kishim frikë nga armiku i padukshëm, kishim frikë nga bombardimet, as nuk e dinim që ky konflikt do të merrte përmasa të tilla dhe se do të përfshiheshin të gjitha fuqitë botërore. Fatkeqësisht, ne ende ballafaqohemi me pasojat e atyre sulmeve, sepse ato pasoja prekën të gjithë.
PY: Si ka qenë shoqërimi me shqiptarë në rininë tuaj?
PË: Shoqërimi dukej fantastik, nuk e di nëse shoqëroheshim më mirë në pranverë, kur luanim sy fshehtas, kur fshiheshim nga njëri-tjetri apo në verë kur të gjithë të gjithë së bashku shkonim për të notuar në lumë, apo në dimër kur dilnim me saja bashkë. Edhe sot është ajo rrugë që nuk ka emër dhe të gjithë e quajmë rruga e vogël. Të gjithë së bashku rrëshqitnim deri në orët e vona të natës, rrinim gjithë ditën aty. Prindërit na thërrisnin të shkojmë në shtëpi të hamë diçka, ne shkonim, merrnim bukë, ktheheshim dhe bënim sajë deri në orët e vona të natës. E kujtoj me kënaqësi fëmijërinë time dhe verën, të gjitha ato këngë në ballkon te ne, ku gjyshërit e mi mbledhin të gjithë fëmijët e lagjes, qofshin romë, shqiptarë apo serbë, është krejtësisht e parëndësishme. Dinim të këndonim shqip, por nuk dinim të flisnim, përveç mirëdita etj. Ne të rinjtë nuk kishim shumë komunikim, por prindërit tanë që punonin në institucionet shtetërore e dinin gjuhën dhe e dinë edhe sot. Kam një kujtim shumë të bukur nga fëmijëria ime dhe më vjen mirë që jam rritur me ta dhe ata me ne. Nëse kemi mësuar diçka të mirë nga shqiptarët, është të jemi të bashkuar. Mund tua kemi zili sa të bashkuar janë dhe sa shumë e ndihmojnë njëri-tjetrin.
PY: Në fund të bisedës, çfarë keni për t’iu thënë njerëzve që dikur kanë jetuar këtu, por janë larguar, si dhe atyre që ende jetojnë këtu?
PË: Do të doja t’u them njerëzve që kanë jetuar këtu se nuk do të jetë kurrë njësoj si në fëmijërinë e tyre. Po ashtu i kuptoj arsyet pse ata nuk janë më këtu. Ndërsa njerëzve që qëndruan u them t’i durojnë të gjitha pengesat dhe të qëndrojnë këtu. Të mos merren me politikë, të mos i ndajnë njerëzit në serbë, shqiptarë, romë, boshnjakë, goranë, por të ndajnë njerëzit si unë, në të mirë dhe të këqij. Ne kemi të ardhme, mesazhi për të gjithë popullsinë që jeton dhe punon sot në Kosovë është, harroni paragjykimet, harroni atë që ka ndodhur në të kaluarën, kthehuni kah e ardhmja, merruni me kulturën tuaj, zakonet tuaja, jetën tuaj. Le të bashkëpunojmë, të jetojmë me njëri-tjetrin, siç kanë jetuar me shekuj para nesh, dhe na pret një e ardhme e ndritur. Harrojeni politikën, merruni me kulturë, mësoni nga njëri-tjetri dhe jetoni ashtu siç kemi jetuar gjithë këto vite të mëparshme bashkë. Kemi jetuar bashkë, jetojmë bashkë dhe do të jetojmë bashkë, i pëlqeu kjo dikujt apo jo.

Image courtesy of Aleksandar R. Miletić

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.