Çarshia e Prizrenit gjithnjë ka qenë shembull i marrëdhënieve të mira ndëretnike ndërmjet shqiptarëve, serbëve, turqve, romëve dhe goranëve. Intervistat që ka mbledhur Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) nga Beogradi sjellin një pjesë të kujtimeve të multietnicitetit të Prizrenit para dhunës së motivuar etnike. Një serb, S.R., nga qendra e Prizrenit, në intervistën për FDH më 24. Prill 2004 risjellë këto kujtime:

Unë dhe gruaja ime nuk e kemi braktisur Prizrenin (pas vitit 1999). Ne lëviznim goxha lirshëm (…) Kishim marrëdhënie shumë të mira me fqinjët, sidomos me familjen shqiptare Shala, me vëllezërit Thaçi, Enverin dhe Asafin. Babai i tyre, Halili ka qenë njeri i mirë, e po ashtu edhe Ruzhdiu që ishte pronar i shitores me teknikë të bardhë. Ne këta nuk do t’i ndërronim me gjysmën e Serbisë. Pa marrë parasysh provokimet e vogla (…) ishim të vendosur që të mbesim këtu, në shtëpinë tonë në qendër të Prizrenit pranë kishës së Shën Mërisë së Levishit, ku kishin mbetur fare pak familje serbe.

Një shqiptar nga Prizreni, G.I., në intervistën për FDH më 19 maj 2004 po ashtu fliste për Prizrenin si model të bashkëjetesës dhe jetës së përbashkët në Kosovë. Ai pohonte se dhuna e marsit nuk ishte vepër e prizrenasve:

Sulmuesit ishin të organizuar dhe saktësisht ishin në dijeni se cilat ishin objektet e serbëve që duhej të demoloheshin dhe digjeshin. Kishte edhe të atillë që kishin ardhur me kamionë për t’i plaçkitur këto shtëpi. Asnjërin nga këta nuk e njihja. Ata nuk ishin prizrenas (…) Unë këta njerëz nuk i kisha parë asnjëherë më parë (…) Ne me serbët kemi pasur gjithherë marrëdhënie të mira. Ata na respektonin, e edhe ne i respektonim. Ata flisnin gjuhën tonë dhe i respektonin zakonet tona. Gjatë kohës së ramazanit serbët nuk ndiznin cigare para shqiptarëve, boshnjakëve ose turqve që agjëronin.

Etničko nasilje na Kosovu. Beograd: Fond za humanitarno pravo, 2004.

Image courtesy of aleksandarmiletic | MALI VELIKI LJUDI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.