Raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) nga Beogradi nga viti 2004, përveç përshkrimeve të hollësishme të dhunës dhe krimeve të kryera ndaj serbëve të Kosovës dhe pronës së tyre përmban edhe shumë shembuj të solidaritetit dhe ndihmës që shqiptarët lokal ia kishin ofruar serbëve, shpesh duke rrezikuar sigurinë personale. Një serbe, R.T. nga Fushë Kosova, e cila ka jetuar në ndërtesën “Llepa Brena” (në Prishtinë?) në intervistën për FDH më 26 prill 2004 thotë me sa vijon:

Në ndërtesën Llepa Brena, fqinji shqiptar dha derën e hekurit që SHPK-ja ta vendoste në banesën e fqinjit serb, dera e të cilit ishte thyer më 17 mars. Dy vajza shqiptare kanë bërë përpjekje që të pengojnë sulmuesit që t’i djegin banesat në përdhese (të familjeve serbe). Nga dritaret kanë bërtitur që mos t’i prekin banesat. Huliganët i ofendonin me fjalë fyese. Fqinjët Bedri Tmava dhe Gani Krasniqi janë përpjekur që ta pengojnë djegien.

Serbja R.A. nga Lipjani, në një intervistë për FDH më 28 mars 2004 përmend fqinjin, shqiptarin, Byrhanin, i cili kishte ndalur demonstruesit t’i afroheshin shtëpive serbe në rrugën e saj:

Dhuna në rrugën tonë ka filluar me 17 mars, në mbrëmje. Ne i kemi lëshuar roletat në dritare dhe jemi munduar të shohim çka po ndodhë jashtë. Demonstruesit u nisën në drejtim të rrugës sonë, por fqinji ynë Byrhani, dy shtëpi larg nesh, nuk i ka lejuar t’i afrohen shtëpive tona. Me fqinjët tanë shqiptarë nga kjo rrugë kurrë s’kemi pasur probleme. Këtu janë tri shtëpi serbe, ndërsa të tjerat janë shtëpi shqiptare. Unë gjithmonë thosha se kur e shoh Byrhanin duke shëtitur e ndiej veten më të sigurt. Në rrugën tonë pas 17 marsit nuk ka pasur probleme

Serbi nga Vitia, B.S. në një intervistë për FDH më 17 maj 2004 përmend se në rrugën e tij nuk kishte empati e as ndihmë nga ana e shqiptarëve, por se rasti i tillë kishte ndodhur në së paku dy lokacione në Vit. Rasti i rrugës së Shën Savës ka rëndësi të veçantë pasi aty shqiptarët lokal kishin dal në rrugë me të gjithë anëtarët e familjes për të mbrojtur fqinjët e tyre serb dhe mbrojtur dhunën që shkaktonin demonstruesit:

As fqinjët shqiptar nuk donin të pengonin djegien e shtëpive tona. Në disa raste ata kanë ofruar ndihmë, por jo edhe në lagjen tonë. Një rast i tillë ka ndodhur në rrugën e Shën Savës, me ç’rast shqiptarët së bashku me familjarët e tyre kanë dalë në rrugë dhe nuk e kanë lejuar turmën që t’i afrohet shtëpive të serbëve. Po kështu kanë vepruar edhe te ndërtesat e verdha.

Serbja nga Prizreni, O.F. e cila me vajzën ka jetuar në Seminar [sh.p. shkollë për priftërinj], në intervistën më 27 prill 2004, ka përmendur ndihmën e shqiptarëve lokal si vendimtare për shpëtimin e anëtarëve të familjes së saj në kohën e tollovisë së krijuar me rastin e dhunës në mars:

Për një çast mu afrua një shqiptar dhe më tha që të largohem. Unë i thashë se më kanë humbur një plakë dhe një grua tjetër, që ishin me mua. Ai më tha se nuk duhet të brengosem sepse ato janë vendosur në vend të sigurt. Nuk e njihja atë njeri. Në atë moment u shfaq vajza ime Tanja. Menjëherë pastaj edhe automjeti i ndihmës së parë (…) Filluan të ma lidhin varën dhe na dërguan në spital (…) Sa I përket gjyshes Natalisë dhe tezës Draga, shqiptarët i kishin vendosur në bodrumin e një shtëpie ku ua kishin trajtuar plagët dhe u kishin dhënë ushqim. Pastaj i kishin dërguar në fshatin Sredskë ku jetojnë Serbët dhe ia kishin dorëzuar KFOR-it.

Lj. P., një serb nga Prizreni, i kthyer, i cili ka jetuar në Seminar, në intervistën për FDH më 30 prill 2004 po ashtu përmend që deri sa ishte duke ikur nga dhuna e demonstruesve bashkë më fëmijë, ndihmën kryesore ia kishte ofruar një shqiptar lokal:

Demonstruesit tentuan ta hapin derën me disa sende të topitura, por nuk arritën. Hoqën dorë, me siguri për shkak se përhapej zjarri (…) Pas disa goditjeve arrita të krijoj një hapësirë të mjaftueshme për të dalë në tarracën e shtëpisë fqinje, para se flaka të përhapej në tërë shtëpinë. (…) Pronari i shtëpisë na ofroi çaj dhe na thoshte se nuk duhet të brengosemi (…) Që të mos i shkaktojmë telashe unë i morra fëmijët dhe shkuam në hotelin “Theranda” (…) Aty qëndruam shkurt ngase frikohesha se mos na ka parë ndokush. E theva dritaren dhe dola në afërsi të objektit të teqës ku gjendeshin dy kontejner të mëdhenj për mbeturina. U futëm në këta kontejner. Biri im filloi të qante, kurse unë ia mbylla gojë që të mos na dëgjoj askush. Vajza (…) heshtte, por ishte tepër e frikësuar. Ishim zbathur, pa rroba dhe të uritur. Dikur rreth orës tre situata u qetësua, por unë nuk isha e sigurt nëse mund ta braktisim këtë vend (…) Vetëm pas orës pesë vendosëm të dalim dhe u nisëm drejt ndërtesës së qendrës rajonale të UNMIK-ut.

SH., serbe nga Prizreni, në intervistën për FDH më 27 prill 2004 përmend ndihmën dhe strehën që ia kishin ofruar shqiptarët lokal derisa me disa gra largohej nga dhuna që kishin iniciuar disa demonstrues:

Në fillim na gjuanin me gurë e pastaj në oborrin tonë e hodhën një “koktej molotovi”. Për fat të mirë nuk pësuam lëndime. Nuk kishim dëmtime më të mëdha, përveç dëmit material (…) Huliganët shkatërronin gjithçka përreth. Që të katërtat hymë në një kthinë pas shtëpisë edhe aty u barikaduam me dërrasa. Tashmë kishte rënë nata dhe kjo na jepte shpresë se nuk do të na zbulojnë. Demonstruesit i thyen shpejtë dyert e hyrjes. Dëgjohej zhurmë e madhe, por ata nuk na zbuluan. Aty mbetëm deri në orën tetë të mbrëmjes. Pasi më nuk dëgjohej kurrfarë zhurme u morëm vesh që të ikim në pyll. Pasi dolëm jashtë vërejtëm se çdo gjë ishte plaçkitur dhe demoluar. I morëm disa batanije, pak kanaçe dhe u nisëm drejtë pyllit ku qëndruam deri në orën një pas mesnate (…) Vendosëm të zbresim deri në Shatërvan, pa marrë parasysh se çka do të ndodh. (…) Arritëm deri te shkolla e muzikës dhe aty takuam katër burra. Për një çast menduam se e pat puna jonë, por ishim me fat, këta ishin fqinjët tanë shqiptarë (…) Ata na dërguan në shtëpinë e tyre dhe aty e pritëm mëngjesin (…) E bija e një shqiptari e kishte dikë në KFOR dhe i lajmëroi se kemi nevojë për ndihmë. Vetëm në mbrëmje të asaj dite rreth orës tetë e tridhjetë derisa ishin në flakë të gjitha shtëpitë serbe në Nënkala, erdhën dy automjete të KFOR-it me katër ushtarë, të cilët na morën dhe na dërguan në kazermë.

Serbi nga Fushë Kosova, M.I., në intervistën për FDH më 26 prill 2004 përmend se si fqinjët e tij pa sukses mundoheshin të mbronin pronën e tij nga dhuna e demonstruesve në mars të vitit 2004:

Tridhjetë e pesë vjet kam punuar si mjeshtër për ngjyrosje të automjeteve dhe llamarinë të automjeteve. Kam jetuar në Gjermani. Kam pasur dëshirë që t’i siguroj fëmijët. Kam lënë pasuri të madhe. Asnjëherë nuk kam pirë kafe nëpër taverna. Me gruan nuk kemi dal asnjëherë vetëm për të kursyer. Kam pasur shtëpinë tri katëshe. Tani jam i mjerë. Nuk kam asgjë. E as fëmijët e mi. Fitoja me mijëra marka në muaj, një pjesë duke e lëshuar shtëpinë me qira të huajve, si dhe nga puna. Shqiptarët më kanë ardhur shpesh natën, duke u fshehur, për t’iu rregulluar makinat. Të gjithë e kanë ditur se jam i ndershëm. Unë personalisht nuk kam lejuar që të digjen shtëpitë e shqiptarëve në rrugën time, gjatë luftës. Ata janë të gjithë njerëz të ndershëm, siç jam edhe unë. Për të gjitha që kanë ndodhur fajtor janë politikanët. Gjithkund ka njerëz të mirë dhe të këqij. (…) Kur ka filluar të digjet, tri vajzat e mia, gruaja dhe mbesa pesëvjeçare kanë filluar të bërtasin. Unë kam rrëmbyer mbesën time dhe me të kam dalë jashtë. Po çfarë të hollash? Çka do bëja pa mbesën? Kur kam vrapuar jashtë, mbesës ia kam mbyllur gojën që të mos na zbulonte pasi gjithë kohën qante. Jemi fshehur sikurse shtazët. Kemi ikur në oborre shqiptare, jemi fshehur në terr që të mos na kapin. Diku rreth orës 22.30 kam parë një shqiptar, i cili punon si përkthyes në OSBE, dhe e kam lutur që të merrte vajzat, gruan dhe mbesën time. Ka pranuar dhe i ka dërguar në Uglarë. (…) Kur një grup shqiptarësh ka ardhur para shtëpisë sime nisën t’ia vënë flakën, ndërsa unë fshihesha në gropën e WC-së. Kam dëgjuar dy fqinjët shqiptarë, duke iu thëne se unë jam njeri i mirë, se askujt nuk i kam bërë asgjë, por kot. Erdhi një shqiptar i cili punonte në xhami dhe i largoi këta dy. Pastaj filluan ta djegin. Kishin shishe me benzinë.

Image courtesy of aleksandarmiletic | MALI VELIKI LJUDI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.