Raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare nga Beogradi për dhunën e marsit të vitit 2004 në Kosovë përmban edhe pasoja të drejtpërdrejta që këto ngjarje kishin shkaktuar në Komunën e Shtërpcës. Serbi L.R., drejtor i Shtëpisë së Kulturës në intervistën për FDH më 2 maj 2004 flet për fenomenet negative si dhe ato pozitive që u paraqiten në marrëdhëniet shqiptaro-serbe në këtë Komunë:
Dhuna (…) devalvoi të gjitha ato gjërat pozitive që kemi krijuar në pesë vitet e fundit. Kohëve të fundit ne gëzonim liri më të madhe. Lëviznim lirisht, shkonim në Prizren, Ferizaj, Prishtinë dhe vende të tjera. Policia dhe KFOR-i nuk i përcillnin konvojët. Nuk ishin shënuar kurrfarë incidentesh. Ishin hequr punktet kontrolluese të policisë dhe të KFOR-it. Pas vrasjes tinëzare të Dobrivoje Stoliqit dhe të birit të tij 22-vjeçar Borkos në natën ndërmjet 17 dhe 18 marsit, në fshatin Dajkovc të Komunës së Shtërpcës në mesin e serbëve u përhap frika dhe pasiguria (…) Kuvendi dhe organet komunale nuk funksiononin. Zyrtarët shqiptarë nuk vinin në punë. Zyrtarët serbë nuk pranonin të punojnë me shqiptarët. (…) Megjithatë, derisa disa politikanë serbë dhe shqiptarë bënin gara se kush do të jetë më patriot mbi baza etnike, qytetarët e fshatrave të përziera në komunën tonë vepronin. Shqiptarët dhe serbët e fshatrave Biti e Ulët, Biti e Epërme dhe Sushicë, janë marrë vesh që të mbrojnë njëri-tjetrin nga persona të panjohur dhe kjo është diçka pozitive te ne, gjë që do të duhej të shfrytëzohej në të ardhmen.
Mu në këto fshatra në vitin 2019 ishin organizuar demonstrata të përbashkëta të shqiptarëve dhe serbëve lokal kundër ndërtimit të mini hidrocentraleve në lumenjtë e Bjeshkëve të Sharrit.