Bashkëbiseduesi jonë, një shqiptar nga fshati Hodonoc, me arsyeshmëri dhe maturi i përgjigjet pyetjeve të bashkëpunëtorit tonë në verën e vitit 2021 në Kamenicë. Në kontekst të marrëdhënieve ndëretnike, ai insiston në kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet njerëzve dhe konsideron se këto marrëdhënie janë më të mira në ato komunitete ku dy grupet etnike ishin të përziera. Kjo, sipas tij, sjell te pranimi i gjuhës së grupit tjetër dhe një bashkëjetesë më intensive. Nga ngjarjet gjatë luftës veçon sesi serbët e Hodonocit kishin marrë në mbrojtje fqinjët shqiptar para njësive paramilitare serbe. Serbet ishin ftuar haptazi të dorëzojnë emrat e shqiptarëve që duheshin likuiduar sepse, siç kishte thënë një paramilitar: “tani keni mundësinë të hakmerreni”. Megjithatë, serbët kishin garantuar për rregullsinë e fqinjëve të tyre dhe nuk kishin lejuar të ju ndodhte ndonjë gjë. Po ashtu, në periudhën e pasluftës, bashkëbiseduesi ka përmendur një shembull pozitiv të një mjeke nga Beogradi, e cila iu kishte ndihmuar shumë shqiptarëve të marrin udhëzime për mjekim në Beograd.

PY: Përshëndetje. A jeni mirë?

PË: Mirë, mirë.

PY: Do ta fillojmë intervistën. Ju lutëm, fillimisht vetëm emrin?

PË: [redaksia e portalit ka vendosur që për momentin të mos shpall emrat e të intervistuarve].

PY: Po, [redaksia e portalit ka vendosur që për momentin të mos shpall emrat e të intervistuarve]. Faleminderit shumë.
PY: Selim, vendi dhe data e lindjes?

PË: 30.07.1961. Hodonoc.

PY: Vendbanimi?

PË: Kamenicë.

PY: Kamenicë. Pyetja tjetër është: A keni pasur miq midis bashkësisë etnike serbe në Kosovë? Tani?

PË: Kjo që është e formuluar “tani”, do kisha shtuar edhe për të kaluarën dhe jo vetëm për tani sepse në këtë kohë dhe në këtë moshë natyrisht që edhe kemi pasur kontakte. Në qoftë se jeton në një rreth shumetnik ke kontakte të drejtpërdrejta. Natyrisht që krijon lidhje të ndryshme qoftë shoqërorë, qoftë lidhje tjera të bashkëpunimit ekonomik ose të formave të ndryshme, pra vet rrethi ta imponon, vet natyra e jetës shoqërore, që duhet të bashkëpunosh edhe në një rreth të përzier. Nuk mund të jetosh i veçuar dhe i izoluar nga të tjerët, edhe kur të jetosh bashkë është edhe njohja mes vete më e mirë. njohja e drejtpërdrejtë dhe jo njohja indirekte përmes literaturës, por njohje nga jeta. Jeta është ajo që të ofron dhe ta mundëson njohjen drejtpërsëdrejti.

PY: Sa të afërt jeni me ata dhe a mund ta kuptoni gjuhën serbe?

PË: Po, natyrisht në rrethet e përziera zakonisht e mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit mirë ose shumë më mirë. Ata që e kanë mësuar në shkolla, për shembull…

PY: Ju e kuptoni gjuhën serbe?

PË: Natyrisht, natyrisht. E di edhe gjatë shkollimit…

PY: Edhe keni me siguri shokë apo jeni të afërt me ata në kuptimin shoqëror?

PË: Po, po.

PY: A jeni shoqëruar rregullisht, të themi, në vizita familjare, vizita gjatë festave fetare krishtere ose ortodokse me fqinjët/kolegët serb para, gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë?

PË: Në kohën e kaluar, atë herë para luftës, na kanë ftuar ose kemi shkuar në vizita te fqinjët tanë që kanë jetuar në fshatin tonë, por pas luftës nuk mund të them që…ata nuk kanë ardhur…nuk mund të them që pas luftës kemi shkuar në këto vizita.

PY: Do të thotë, pas luftës jo?

PË: Jo, pas luftës jo.

PY: A bashkëpunoni dhe a keni bashkëpunuar rregullisht duke ndihmuar njëri tjetrin, të themi, në bujqësi, riparime në shtëpi ose fabrika me fqinjët lokal serb para luftës, gjatë dhe pas luftës?

PË: Kjo është një çështje shumë e gjerë. Do të thotë, ata të cilët janë marr me bujqësi natyrisht se kanë ndihmuar njëri-tjetrin, qoftë se…

PY: Ju keni ndihmuar? Keni pasur rast?

PË: Kemi pasur raste. Kemi parë raste të fqinjëve tanë që kanë marr mjete, i kanë huazuar te njëri-tjetri, pra mjete teknike të bujqësisë, për shembull kur iu është dashur një kosë ose traktor, ka pasur raste të tilla dhe i kanë ndihmuar njëri-tjetrit. Kanë pasur nevoje dhe i kanë ndihmuar…

PY: Gjatë luftës a ka pasur raste? A ju kujtohet apo jo? Më rrallë?

PË: Gjatë luftës ka qenë një pasivizëm në bashkëpunim. Do të thotë, ato veç…mund të dimë…ka pasur raste që kanë bashkëpunuar por kanë qenë shumë të vogla dhe të kufizuara.

PY: Ndërsa pas luftës, a dini për ndonjë rast…a keni pasur ndonjë rast që keni bashkëpunuar mes vete, në kuptimin e dhënies së ndihmës njëri-tjetrit? Në shtëpi? Bujqësi? Eventualisht, për ndonjë mjet bujqësor?

PË: Nga bujqësia edhe ata edhe ne kemi hequr dorë. Edhe rinia e tyre si dhe e jona nuk janë të interesuar për bujqësi prandaj nuk ka nevojë askush për ndihmë sepse bujqësinë askush nuk e do.  As te serbet, as te shqiptarët nuk janë më ato…nuk është më angazhimi në bujqësi siç ka qenë më herët edhe pse ndoshta me mjete më të thjeshta, megjithatë toka është punuar në mënyrën që kanë pasur mundësi.

PY: A ndryshoi ndonjë gjë në marrëdhëniet tuaja me fqinjët/kolegët serb me rastin e ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1987 dhe më pas deri në vitin 1999 e deri më tani? A kanë ndryshuar këto marrëdhënie?

PË: Marrëdhëniet…

PY: Marrëdhëniet fqinjësore.

PË: Marrëdhëniet e qytetarëve…Kur është fjala për komunën tonë, marrëdhëniet e qytetarëve nuk kanë ndryshuar shumë. Marrëdhënia e pushtetit me shqiptarë ka ndryshuar.

PY: E pushtetit? Po.

PË: Dhe jo qytetarët.

PY: Mirë. A keni pasur rast… a kanë ndryshuar ata, ta zëmë…se edhe qytetarët kanë ndryshuar vetvetiu.

PË: Sidomos te qytetarët që kanë qenë nëpër organizata si udhëheqës, për të treguar ata atë besnikëri ndaj pushtetit, kanë ndryshuar ato pikëpamjet ndaj shokëve, ish shokëve, miqve etj. Ata kanë qenë më të rezervuar. Por ka pasur edhe nga ata që nuk kanë ndryshuar hiç.

PY: Sa mendoni që ishte e rëndësishme përkatësia etnike, pra fakti i të qenit serb apo shqiptar në shoqëri para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës? Çfarë mendoni? A ka qenë më mirë nëse keni qenë serb apo shqiptar para luftës, ose e kundërta?

PË: Në qoftë se bëjmë…Këtu duhet një analizë shumëdimensionale. Në qoftë se flasim (për kohën) deri sa ka qenë Jugosllavia që ishte vazhdimësia e konceptit vetëqeverisës të atëhershëm, nuk ka pasur shumë dallim sa i përket përkatësisë nacionale. Mirëpo, pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet, dimensioni ka ndryshuar. Pastaj, më mirë ka qenë të qenit serb. Ndërsa, pas luftës…po ashtu tani kemi ndryshimin ku është më mirë të qenit shqiptar. Kjo është shumë e natyrshme sepse ka ndryshuar.

PY: A dini për ndonjë rast të martesave ndëretnike midis serbëve dhe shqiptarëve para luftës, gjatë dhe pas luftës?

PË: Në komunën tonë nuk kanë ndodhur kësi gjëra.

PY: Në komunitetin tuaj nuk ka pasur raste?

PË: Jo, jo, nuk ka pasur.

PY: A ka ndonjë rast që ju dini ku të rinjtë shqiptarë dhe serb shoqërohen ose takohen sot?

PË: Po. Po.

PY: Po, ka raste?

PË: Edhe në kafenenë…Të gjitha kafenetë në Kamenicë shkojnë dhe i vizitojnë edhe serbet, por edhe kafenetë serbe i vizitojnë shqiptarët edhe nuk ka ndonjë problem që ndodhë në mes tyre për shkak nacionalitetit të ndryshëm.

PY: A mund të na jepni ndonjë shembull të mbështetjes/ndihmës reciproke që u është dhënë nga një anëtar i komunitetit serb? A ju kujtohet ndonjë rast konkret ku dikush nga komuniteti serb  ju ka ndihmuar juve?

PË: Mua jo, por kam dëgjuar, kam fakte, kur mjekët i kanë ndihmuar pacientëve shqiptarë për t’i dërguar në Beograd. Iu kam ndihmuar unë, e kam gjetur lidhjen. Për shembull, ajo mjekja nga Beogradi që ka qenë në Kamenicë, pas luftës menjëherë, ajo i ka ndihmuar shumë shqiptarëve. Shumë shqiptarë përmes saj…iu ka ndihmuar pacientëve për të shkuar në Beograd për shërim.

PY: Ndonjë ndihmë që ju ka ofruar juve konkretisht, nuk ju kujtohet?

PË: Nuk kam pasur rast.

PY: Cili ishte qëndrimi i autoriteteve serbe, policisë, autoriteteve civile, ushtrisë ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës të vitit 1999? Çfarë qëndrimi kishin ndaj shqiptarëve në përgjithësi apo ndaj popullatës gjatë luftës së vitit 1999?

PË: Tani, këtu duhet të bëhet shkëputje. Nuk është se qëndrimi ka qenë i njëjtë sikur në fusha ku janë zhvilluar beteja dhe sikur në vende që kanë qenë më të qeta. Kamenica ka qenë pak më e qetë. Jo pak, por shumë më e qetë prandaj edhe autoritetet, policia si dhe autoritetet ushtarake kanë qenë më të kufizuara sepse rajoni ka qenë i qetë. Në vende tjera, kuptohet se kanë qenë më të ashpra, më të dhunshme, më brutale.

PY: Cili ka qenë qëndrimi i fqinjëve tuaj që i përkisnin komunitetit serb në këtë kohë? A kanë pasur ndonjë qëndrim tjetër, mos të them qëndrim armiqësor, agresiv apo të llojit të tillë?

PË: Qëndrimi ndaj…

PY: Qëndrimi i fqinjëve tuaj serb.

PË: Gjatë kohës së luftës ata kanë qenë më të tërhequr. Pra, si fqinjë kanë qenë më të tërhequr, por ata nuk kanë bërë dëme në hapësirën ku kanë jetuar. Thuhet që kanë shkaktuar dëme në vende tjera, por jo ndaj fqinjëve.

PY: A ka pasur raste që ata janë përpjekur të ju mbrojnë, të ju sigurojnë ushqim ose nevoja tjera gjatë periudhës së luftës?

PË: Ka pasur raste.

PY: A ju kujtohet ndonjë rast kur ata ju kanë ofruar mbrojtje, ju kanë siguruar ushqim në ndonjë moment?

PË: Unë di një rast ku në fshatin Hodonoc ushtria dhe policia janë stacionuar në lagjen e Kërshlanëve edhe kanë pyetur, tani e keni rastin…

PY: Kërshlanët ka qenë lagjja e banuar me serb?

PË: Lagjja e Hodonocit, po.

PY: Mirë.

PË: Pra, “tani e keni rastin për hakmarrje. Vetëm na i jepni emrat dhe ne do i likuidojmë.” Ata kanë thënë, “ne kemi kaluar shumë mirë edhe nuk ka nevojë…nuk e kemi askënd në listë”. Andaj, brutaliteti ka qenë shumë më i kufizuar sepse po të kishin dashur ata… ata ju kanë thënë “tani e keni rastin historik për t’u hakmarrë, është rast historik, vetëm tregoni”, por ata nuk kanë pasur akuza. Nuk kanë pasur. Kanë mundur, për shembull…

PY: Cili ka qenë trajtimi i serbëve lokal në periudhën e menjëhershme të pasluftës në verë dhe vjeshtë të vitit 1999? Pra, si janë trajtuar serbët pas hyrjes së NATO-së, UÇK-së? A kanë pasur trajtim tjetër? Si e keni parë ju nga perspektiva juaj?

PË: Shikoni, ajo ka qenë… në aspektin emocional, ata e kanë përjetuar si disfatë, ndërsa shqiptarët e kanë fituar lirinë edhe perceptimi i të njëjtës kohë ka qenë ndryshe. Secili e ka përjetuar në mënyrën e vet. Serbët e kanë përjetuar si një humbje – do të krijohet një pasiguri për ata për të jetuar etj. Do të ketë hakmarrje të shqiptarëve ndaj tyre për shkak të bëmave që i ka bërë pushteti. Ndërsa shqiptarët e kanë përjetuar si liri dhe këtu është ai dallimi që e njëjta gjë nuk është perceptuar njësoj. E njëjta situatë nuk është perceptuar njësoj nga të dyja palët.

PY: Si e përjetuat shpërthimin e dhunës kundër serbëve të Kosovës në mars të vitit 2004? A keni qenë pjesëmarrës…po mendoj, jo pjesëmarrës, por a keni qenë pjesë…a i keni vënë re ato zhvillime?

PË: Ajo ka qenë një vepër e dënueshme, një vepër e pavend, e pamenduar. Ka qenë një lloj budallallëku i rëndomtë që nuk është dashur të ndodhte sepse gjatë tërë historisë shqiptarët, objektet e kultit, jo vetëm të serbëve, por të çdo kombi, i kanë respektuar qoftë të hebrenjve, qoftë të sekteve të ndryshme. Shqiptarët gjithmonë iu kanë frikësuar objekteve të shenjta që do t’ju gjej ndonjë gjë e keqe. Asnjëherë nuk i kanë prekur ato. Ndërsa, të ndodhte kjo në atë kohë është…ishte një moment i keq dhe shumë i dëmshëm për neve shqiptarëve, për moralin tonë, për shtetin etj.

PY: A u përpoqën fqinjët shqiptarë t’i mbronin kur ata ishin në rrezik? Do të thotë, a u përpoqën fqinjët shqiptarë t’i mbronin serbet në atë kohë kur ishin në rrezik, kur kishte masa të njerëzve që protestonin dhunshëm? A ka pasur ndonjë rast që dini ku i kanë mbrojtur?

PË: Po, natyrisht. Natyrisht. Secili ka dashur që fqinji i tij të mos lëndohet, që mos t’i ndodhte asgjë e keqe sepse nuk kishte arsye të lëndohet dikush që ishte i pafajshëm. Do të thotë, të mos sulmohet nga huliganët etj. sepse nuk ka bërë asgjë të keqe dhe nuk është morale që fqinji të hesht.

PY: A keni përjetuar ndonjë dhunë ose dëmtim të pronës gjatë luftës? E kam fjalën për kohën gjatë luftës. Si kanë reaguar fqinjët tuaj?

PË: Jo, nuk kemi pasur.

PY: Cila është kujtesa juaj për periudhën e socializmit?

PË: Kjo është një temë e gjerë për të vlerësuar një periudhë të tillë, por…

PY: Në pika të shkurtra, a ka qenë e mirë…

PË: Ajo që ka qenë mirë gjatë socializmit është që ka qenë shkollimi pa pagesë, sigurimi social, sigurimi pensional… këto kanë qenë…edhe shkollimi ka qenë cilësor, pra jo vetëm shkollim, por shkollim cilësor e këto e kanë bërë socializmin…ju është kushtuar shumë rëndësi jetës sociale të qytetarëve. Kjo ka qenë diçka e mirë për socializmin. Kjo ka qenë…

PY: A e konsideroni epokën socialiste pozitive dhe afirmative sa i përket zhvillimit të Kosovës?

PË: Kjo çështja do të lidhej kështu: Në qoftë se nuk do të ishte socializmi, do të ishte kthyer mbreti nga Anglia. Do të ishte mbretëri dhe dihet çfarë qëndrimi kishte mbretëria ndaj shqiptarëve. Me vet këtë fakt, me gjithë ngritjet dhe rëniet, problemet dhe periudhat e errëta, socializmi ka qenë më i mirë për zhvillimin, afirmimin e Kosovës.

PY: Shumë faleminderit për intervistën zoti [redaksia e portalit ka vendosur që për momentin të mos shpall emrat e të intervistuarve] dhe faleminderit për kohën që keni ndarë për ta bërë intervistën. Shumë faleminderit edhe një herë.

PË: Faleminderit edhe nga ju. Ju uroj sukses dhe që projekti të zhvillohet në mënyrë sa më objektive dhe sa më mirë dhe më shpejtë që t’i shihni rezultatet dhe pikëpamjet e qytetarëve për pyetjet që juve ju kanë interesuar.

PY: Ju faleminderit edhe një herë.

 

Image courtesy of aleksandarmiletic | MALI VELIKI LJUDI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.